Interi po punon për të sjellë në San Siro dy sulmues të mëdhenj. Edin Xheko dhe Romelo Lukaku janë dy sulmuesit, që Marota i ka vendosur në fokus. Sulmuesi i Romës është shumë pranë marrëveshjes. “Sport Mediasset” raporton se zikaltrit kanë arritur termat kontraktuale me lojtarin dhe janë shumë pranë marrëveshjes me klubin e Romës.
Paga e 33-vjeçarit në Milano do të jetë 4 milionë euro në sezon. Ndërkohë Roma kërkon 20 milionë për ta lënë të lirë boshnjakun. Shumë kjo, që Interi nuk e sheh reale. Marota është gati të japë për Xhekon 13,5 milionë euro. Në ditët në vijim pritet të ketë një konsensus për këtë çështje mes palëve.
Romelo Lukaku është ëndrra e kësaj vere për Interin. Belgu nuk e ka të sigurt qëndrimin në Mançester dhe Interi pretendon ta bëjë të tijin. Junajtid e vlerëson lojtarin në shifrën e 80 milionë eurove. Klubi italian nuk është i gatshëm t’i depozitojë aq para, por propozon diçka tjetër, Perisiç plus para në dorë. Një formulë, që mund të jetë produktive, duke parë interesin e mëparshëm të klubit anglez për kroatin.
Këto dy afrime do sillnin automatikisht largimin e Ikardit. Argjentinasi i ka humbur të gjitha privilegjet që gëzonte më parë. Sjellja jo korrekte e tij dhe Uanda Narës, ka çuar në prishjen totale të marrëdhënieve, si me klubin dhe me tifozët. Vetë lojtari nuk dëshiron të dalë nga Italia dhe Juventusi shihet si destinacioni i mundshëm.