Gjici: Nuk jam si Takaj që dorëzohet kollaj, në Kukës do luajë kombëtarja

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka qenë i ftuar në emisionin “Zona Gol”, ku ka folur në lidhje mbi tematike të ndryshme që kanë shoqëruar klubin verilindor gjatë këtij sezoni.

Numri një i Kukësit nuk i kurseu thumbimet për presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, një reagim ky që vjen pas humbjes së ekipit korçar ndaj Partizanit.

“Ne nuk kemi akoma një ekip kampion në Shqipëri për derisa nuk e lejon matematika. Është më mirë për të gjithë që kampionati të luftohet deri në javën e fundit. Është e vërtetë që ne bëmë një hap fals dhe mund të ishim shumë afër Partizanit. Në futboll nuk të ecin gjithmonë gjërat mbarë, por ne nuk dorëzohemi”.

DO E LINI KUKËSIN PËR BASHKINË ? –“Unë mund të rri pa politikë, por pa sport nuk mund të rri. Kam bërë një analizë dhe me veten dhe jam penduar që i kemi luajtur të gjitha ndeshjet jashtë, sidomos kur shikoj disa fusha që janë si ara. Kukësin nuk do ta lë, përveç stadiumin e ri do kemi dhe aeroport është diçka e ndërlidhur. Stadiumi mund të filloj punën. Të mos çuditeni sikur në të ardhmen në Kukës të luajë dhe kombëtarja”.

“Ekipi është i kompletuar duhet që trajneri e stafi i ri të japë mendimet e veta nëse do të jetë nevoja për ndërhyrje ne do t’ia plotësojmë. Kemi lojtarët, por kemi çaluar në aspektin e stafit. Unë ua kam plotësuar të gjithë kërkesat. Prandaj vendosa të ndërhyrja kaq shumë që t’i jepja trajnerit dy ekipe në dispozicion”.

ZGJEDHJA E GJOKËS – “Ma gjeni një trajner tjetër. Unë në atë kohë e shkarkova për shkak se më la një ndeshje të hidhur një të Champions-it, por gjithmonë e kam thënë që ka qenë një trajneri i ri. Nuk është normale që t’i vë kusht për titullin kampion me këtë diferencë pikësh. Derisa matematika na lejon do luftojmë”.

BASHKIA APO KAMPIONATI – “Dua t’i fitoj të dyja. Në gjithë këto vite që jam në sport dua të fitoj. Kupën pa diskutim që do e fitoj, unë nuk jam si Presidenti i Korçës që dorëzohet kollaj. Dikur ka qenë rivali më i fortë, tani është Partizani”.

RIVALËT – “Këtë sezon prisja që dhe Durrësi të ishte kandidat për titull, por futbolli ndonjëherë kështu të merr. Po të ishte dhe Skënderbeu i dikurshëm, kampionati do të ishte i fortë. Por na doli i dorëzuar në aspektin e konkurrimin në kampionat, dështoi në të pasurit vazhdimësi”.

STADIUMI – “Këtë sezon do e mbyllim në Elbasan, ndoshta edhe të gjithë sezonin tjetër derisa të mbarojë stadiumi i ri”.

“Klubi i Partizanit ka meritën e vetë. Por ata e kanë fituar kampionatin pasi ne nuk kemi qenë mirë, që do të thotë faktori fushë. Po të luanim në Kukës, të jeni të bindur që ne do të ishim kampion. Vitin e kaluar të gjithë flisnin për fushën e stadiumit tonë, por këtë sezon kemi luajtur në fusha shumë të këqija”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *