Presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armando Duka, ka folur për herë të parë në media për shkarkimin e trajnerit KristIan Panuçi. Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, kreu i FSHF-së përmendi arsyet e vendimit dhe planet e së ardhmes.
VENDIMI – “Prisnim që të kishte një energji ndryshe skuadra, një paraqitje ndryshe në ndeshjen e parë. Kuptohet se ishte një ndeshje e rëndësishme për të gjithë edicionin. Kjo është një arsye pse menduam që edhe pas një “Nation League” jo shumë të suksesshme të vazhdonim me Panuçin, sepse ndoshta të krijonte atë njohjen e duhur në skuadër dhe diçka do të ndryshonte. U pa një skuadër pothuajse inekzistente ndeshjen e parë, që na çoi në një vendimmarrje le të themi të detyrueshme për të ndryshuar diçka. Dhe ajo që mund të ndryshonim ishte pikërisht trajneri.”
Të gjithë në njëfarë mënyre jemi përgjegjës, qoftë dhe unë që kam emëruar Panuçin, qoftë skuadra, që duhej të demonstronte diçka më shumë në fushë. Besoj se edhe ai vetë do të dëshironte të bënte më shumë e të arrinte më shumë. Ishte eksperienca e tij e parë si trajner i një përfaqësueseje, por nuk arriti, nuk arriti të merrte maksimumin që mund të japim.
Për shumë arsye e ndërpremë këtë marrëdhënie për të menduar më shumë për të ardhmen dhe do të mendojmë më gjatë për ndeshjet e qershorit, në të cilët kush do që të jetë stafi do të ketë kohë për ta përgatitur skuadrën, pasi atëherë do të kemi mundësi për ta grumbulluar skuadrën rreth dy-tre javë.
EDI REJA DHE TRAJNERI I RI – “Edi Rejan e kam takuar në stadium pas ndeshjes, kishte ardhur për punët e tij, për të vëzhguar disa futbollistë. Nuk di ta them tanët apo të Turqisë. Nuk kam menduar asgjë se kush do të jetë trajner i Shqipërisë. Pas ndeshjes me Andorrën do të mendojmë për teknikun që i duhet skuadrës së bashku me stadin teknik të federatës. Nuk është një gjë e lehtë”, përfundoi Duka.