Ousman Dembele e nisi mirë sezonin me Barcelonën dhe pati fillimisht elozhe për francezin, madje shumëkush ishte i bindur edhe se po e zëvendësonte në mënyrë ideale Nejmarin. jo vetëm kaq, por edhe shifrat i kishte në favor. Gjithsesi tanimë situata e sulmuesit është krejt tjetër dhe në janar mund edhe të shitet.
Edhe pse momentalisht Mesi është jashtë, Dembele ka humbur terren dhe është Rafinhja ai i cili po bën mirë me katalanasit. Nisur nga gjithçka po ndodh këtë periudhë, në Spanjë bëjnë me dije se Barcelona e ka ndarë mendjen dhe do të shesë 21-vjeçarin.
Problemi është çmimi i tij, pasi për të janë paguar te Borusia e Dortmundit plot 115 milionë euro. Gjithsesi “The Sun” në Angli raporton se janë tre klube që janë të gatshme t’i bëjnë një vend në ekipin e tyre francezit.
Çelsi, Arsenali dhe Liverpuli janë klubet që interesohen për Dembele sipas tabloidit britanik. Me shumë mundësi oferta e tyre nuk do t’i kapë 100 milionët, edhe pse bëhet fjalë për një sulmues të ri dhe që mund të shpërthejë në ambientin e duhur.
Me Barcelonën sivjet ai ka shënuar vetëm tre gola në kampionat, po aq sa një sezon më parë kur pati edhe një problem dëmtimi që e la për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta. Sezonin më të mirë Dembele e ka pasur në Francë, teksa me fanellën e Rene realizoi 12 gola në kampionat.