Arsenali nuk pritet të ketë shumë ndryshime për sezonin e ardhshëm. Topçinjtë kanë në dispozicion një buxhet shumë të cunguar. Emeri do i duhet të përforcojë skuadrën me më pak se 50 milionë paund. Kështu tekniku duhet të tregohet i zgjuar dhe të blejë lojtarë që nuk kanë shpërthyer ende, por që dallohet se kanë një potencial të lartë.
Denis Praet dhe Hoakim Andersen janë dyshja e Sampdorias që pëlqehet nga trajneri Emeri. Klubi londinez ka nisur ofertën e parë drejt italianëve me një çek prej 46 milionë eurosh. Praet është mesfushor dhe ka një vlerë prej 25 milionë eurosh në merkato. Belgu 25-vjeçar ka spikatur me aftësitë e tij këtë sezon.
Hoakim Andersen ka ardhur nga kampionati holandez, konkretisht nga klubi i Tuente. Për mbrojtësin Sampdoria ka shpenzuar vetëm 1.4 milionë euro për ta sjellë në Itali. Vlera aktuale e 23-vjeçarit danez në merkato është 20 milionë euro.