Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj ka folur për “RTSH Sport” para ndeshjes së nesërme kundër Flamurtarit, një sfidë shumë e vështirë për skuadrën e tij. Megjithatë, trajneri u shpreh optimist për një rezultat pozitiv, si dhe për mbijetesën. Mes të tjerash, tekniku u shpreh:
“Në një ndeshje futbolli, skuadra i ka marrë sinjalet që po luftove shumë, mund të bësh një llogari dhe mund të marrësh pikë. Ne jemi munduar të jemi me këmbë në tokë dhe të mos jemi euforikë.
Padiskutim që mungesa kemi, edhe ndeshjen e kaluar kemi pasur mungesa, madje më shumë seç kemi këtë javë. Mendoj se lojtarët që janë në dispozicion për të përballuar ndeshjen, do të marrin më të mirën nga kjo sfidë.
Siç e kam thënë dhe në ndeshjen e parë që ne nuk do të shkojmë në ndeshje për barazim ose për të humbur. Besojmë te mbijetesa. Ne shikojmë me pozitivitet dhe kërkojmë maksimumin në çdo takim”,- tha Ahmataj.