Uejn Runi mori pjesë në një emision radiofonik, ku ishte i ftuar nga promotori me famë botërore i boksit, Edi Hërn. Gjatë bisedës midis të dyve, futbollisti anglez foli mbi të ardhmen, fillimet e karrierës në Liverpul. Ashtu si 99% e djemve të rritur në Liverpul, Runi është një fans i thekur i boksit. Në këtë intervistë 33-vjeçari shpjegon arsyet e një prej videove më hit të tij në internet: Nokauti që pësoi nga futbollisti skocez Fil Bardsli.
FUTBOLLI NË AMERIKË DHE E ARDHMJA – “Jam dashuruar mbas futbollit. Jam marrë me këtë sport të gjithë jetën time. S’di të bëj gjë tjetër. Kur ta lë sportin do të mbaroj certifikatat për t’u bërë trajner dhe më pas do të shikoj se çfarë mundësish do të më jepen. Kam dhe dy vite kontratë. Në varësi të gjendjes time fizike do të vendos nëse do të vazhdoj ose jo. Nuk mendoj se do të rikthehem të luaj në Angli. Para pesë vitesh nuk do e mendoja kurrë se do të luaja në Amerikë. Më mungon Liverpuli. Kur luaja me Junajtid rikthehesha atje çdo fundjavë. Para se të vija këtu kisha një ofertë shumë më mirë nga një klub kinez, por zgjodha të bëja atë çfarë ishte më e mira për familjen time. Mendoj se njerëzit këtu në Amerikë e vlerësojnë më shumë se në Angli privatësinë e futbollistëve. Nuk më shqetëson askush kur dal me familjen”.
FILLIMET NË LIVERPUL – “Mbrapa shtëpisë sime kisha një fushë futbolli. Shkoja aty ccdo mëngjes para se të nisesha për në shkollë. Mamaja më bërtiste çdo herë që më shikonte aty. Më pas u futa në akademinë e Evertonit. Ishte e vështirë në fillim, prindërit më shoqëronin për në stëvitje, por duhet të merrnim tre autobusë. Nuk kisha kohë për të ndenjur me shokët. Besoj se do ia kisha dalë të bëhesha futbollist edhe nëse nuk kisha kaq shumë talent, asnjëherë nuk kam lënë pas dore stërvitjen”.
BOKSI – “Boksi është sporti që mua më ka pëlqyer më shumë ta shikoja. Babai im më ka rritur me këtë sport. Xhaxhai im ka një palestër boksi në Kroksteth (lagjja në Liverpul ku ka lindur Runi) që e menaxhon prej më shumë se 30 vitesh. Fatmirësisht nuk isha dhe aq i mirë në këtë sport dhe vendosa të luaja futboll. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur (qesh). Për një farë periudhe shkoja njëkohësisht në stërvitje boksi dhe futbolli. Them se kjo gjë më ka ndihmuar për të forcuar fizikun që në Premier League të duhet medoemos. Isha 16-vjeç dhe luaja kundër mbrojtësi të fuqishëm si Sol Kembëll Martin Kioh. U surprizova kur edhe në Amerikë, shumica e lojtarëve në skuadër nuk i njohin boksierët e tanishëm. Jam rritur me yjet e boksin e viteve 90, tani shumë njerëz nuk njohin as Uajlldër, Golovkin ose Kanelon”.
NOKAUTI NGA FIL BARDSLI – “Gjithmonë më ka pëlqyer që të praktikoja boksin në shtëpi. Babai e ka nxjerrë kushedi sa herë nokaut vëllanë tim, për mua ishte diçka e zakonshme. Atë natë kisha dalë me Fil Bardslin dhe kur u kthyem në shtëpi vendosëm dorezat, por fatkeqësisht ndodhi ajo që e kanë parë me miliona vetë në video. Në fakt kur rashë nuk ngela pa ndjenja, video thjesht ndalon në atë moment. U ngrita dhe vazhduam të luftonim. Në fund i thamë vetes, çfarë dreqin po bënim. Mua gati sa mu thye hunda, ndërsa ai po nxirrte gjak nga goja. Ish-trajneri im Luis Van Gal ma kujtonte shpesh atë histori, shkrihej së qeshuri sa herë përmendej si temë”.