Enriko Papa po shkëlqen në Rumani me skuadrën e Botoshanit dhe është një nga lojtarët më të dashur. Edhe pse pati disa vështirësi në fillim të sezonit, Papa ia doli të ishte i sukseshëm, duke luajtur shumë ndeshje dhe duke qenë i rëndësishëm. Mesfushori 26-vjeçar dha një intervistë për “ProSport”, ku iu përgjigj disa pyetjeve shumë interesante.
SUPERIORJA – “Liga I ka një nivel të mirë dhe lojtarë cilësorë, si rumunët ashtu edhe të huajt. Edhe në Shqipëri ka lojtarë të mirë, por niveli nuk është si këtu. Gjithashtu edhe kushtet e stërvitjes nuk janë më të mirat atje. Megjithatë Shqipëria ka pasur ekipe si Skënderbeu, Kukësi e Tirana që kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Nga viti në vit futbolli në Shqipëri po rritet”.
PROBLEMET – “Pata probleme në janar. Para se të ndryshohej trajneri, kisha arritur të shënoja ndaj FCSB. Kur ndryshoi trajneri donin të më dërgonin te Petrolul në ligën e dytë. Nuk pranova, doja të qëndroja dhe të luftoja për një vend titullari. Tani gjithçka është në rregull. Kam luajtur dhe kemi marrë rezultate. Si ia dola? Jap gjithçka për vendin tim të punës, në stërvitje dhe në ndeshje. Kur t’i bën gjithçka, Zoti të ndihmon. Nuk donin të më merrnin në fazë, por fola me presidentin dhe i kërkova që vetëm të stërvitesha. Nuk pranoja të huazohesha. Gjithçka ndryshoi pas një miqësoreje me Ludogorets, ku ne bëmë një ndeshje të mirë. Që atëherë gjërat ndryshuan”.
QAKA DHE LLULLAKU – “Nuk i kam takuar personalisht para se të vija këtu. Thjesht i kisha dëgjuar emrat e tyre, pasi kanë luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë. Më pas i takova këtu si rivalë, shumë lojtarë cilësorë”.
KAMPIONATI DHE LOJTARI I PREFERUAR – “Premier Liga, padiskutim. Atje luhet një futboll shumë i bukur. Edhe lojtari im i preferuar, luan në Premier Ligë. Ai është Ngolo Kante, një futbollist që marr shembull. Nuk besoj se ka futbollist që nuk e pëlqen Kanten”.
MESI APO KRISTIANO – “Mesi, sepse ai është nga një planet tjetër. Ai është Zoti i futbollit. Ronaldo është një lojtar i mirë, punon shumë, por Mesi është unikal. Idhulli im është Ronaldo, por jo Kristiano, fenomeni. Më kujtohet kur e pashë në Kupën e Botës në vitin 2002, isha fëmijë”.
OBJEKTIVI PERSONAL – “Shpresoj që paraqitjet e mia me këtë skuadër të më çojnë te Kombëtarja e Shqipërisë. Po pres me padurim që të luaj për Shqipërinë. Kjo është gjëja e vetme që kam për momentin në mendje dhe nuk do të ndalem”.
PSEUDONIMI -“Shokët e skuadrës bëjnë shaka në dhomat e zhveshjes me emrin tim. Më kanë vënë një pseudonim. Soiledis, Pataçe dhe Rodrigez më thërrasin Papu. Në greqisht do të thotë gjysh. Doktori i ekipit më thërret Papa nga Vatikani”.
TAKIMI ME PAPËN – “Nuk jam takuar me Papa Françeskun. Çfarë do i kërkoja? Mendimi i parë që do t’i thoja është që të ndihmojnë popullin në Siri dhe në Afrikë. Ka fëmijë që nuk kanë as për të ngrënë. E di që Kisha ka para dhe nëse është e mundur do doja t’i ndihmonte, pasi jemi të gjithë njerëz. Kjo pavarësisht besimit fetar”.