Juventusi kreu një fitore bindëse në transfertë ndaj Sasuolos, teksa fitoi me rezultatin 3 – 0 falë golave të Çan, Ronaldos dhe Kedirës. Trajneri Masimiliano Alegri u shpreh i lumtur me lojën e skuadrës dhe foli dhe për shterpësinë e golave të Paulo Dibalës, i cili këtë sezon ka shënuar vetëm dy gola.
“Më duhet të përgëzoj ekipin për mënyrën se si luajtën, mbi të gjitha mbrojtjen, që nuk pësoi gol. Rrezikuam në fillim, por pas çerek orëshit të parë e morëm veten. E kishim përgatitur ndeshjen ndryshe, por na u desh të ndryshonim”.
Dibala? – “Ai së bashku me Bonuçin kanë luajtur më shumë ndeshje nga të gjithë. Sot luajti mirë. Ndonjëherë mund të ulesh dhe në stol thjesht për të bërë një ndryshim. Bentakur duhet të përmirësohet. Mesfushorët duhet të bëjnë 5-6 gola secili”.
Dibala njeriu ideal përkrah Ronaldos? – “Paulo luan gjithmonë të njëjtin rol. Ronaldo është më ndryshe, kërkon më shumë fizik afër. Dibala dhe Ronaldo mund të luajnë bashkë. Në rast se përqendrohesh te statistikat, Ronaldo dhe Benzema luajtën bashkë për 10 vite në Madrid. Statistikat nuk tregojnë asgjë”, përfundoi Alegri.