Kalimi i Elseid Hysajt te Çelsit gjatë merkatos së janarit ishte diçka e sigurt sipas mediave italiane dhe atyre britanike, por në fund, asgjë nuk u konkretizua. Tashmë, mendohet se shqiptari do t’i bashkohet Bluve të Londrës në merkaton e verës.
Napoli nuk arriti të gjejë një zëvendësues për Hysajn gjatë muajit janar dhe si pasojë, nuk e lejoi 25-vjeçarin të largohet. Megjithatë, drejtuesit napolitanë nuk kanë ndërmend ta ndalojnë mbrojtësin shkodran të largohet gjatë muajve të verës, pasi deri atëherë, me shumë gjasa do të gjejnë zëvendësuesin e tij.
Sipas “TuttoMercato”, Napoli ka nisur të studiojë dy alternativa: Berezinski i Sampdorias dhe Lirola i Sasuolos. Të dy lojtarët po bëjnë një sezon të mirë në Serie A dhe shihen si alternativat e duhura për të zëvendësuar Hysajn në krahët e mbrojtjes.