VIDEO | Fëmijë dhe Handanoviç, Interi merr një pikë të vuajtur ndaj Sasuolos

Interi nuk e ka nisur siç pritej 2019-ën, sepse është ndalur te barazimi 0-0 në San Siro nga Sasuolo. Për herë të parë në sfidat mes këtyre dy ekipeve në Serinë A regjistrohet një barazim, përveçse asnjë gol.

Shumë tifozë zikaltër besonin se skuadra e zemrës do të hakmerrej për humbjen në ndeshjen hapëse të këtij sezoni, por rezultoi krejt e kundërta. Në këtë 90-minutësh munguan tifozët e përhershëm (stadium i mbyllur pas koreve raciste ndaj mbrojtësit të Napolit Kulibali), por të paktën në vend të tyre ishin 10-11 mijë fëmijë, të cilët krijuan një atmosferë të bukur, edhe pse me siguri prisnin një rezultat ndryshe.

Pjesa e parë foli më shumë për vizitorët, që iu afruan golit me anë të Lokatelit dhe Boateng, ndërsa i vetmi rast i rrezikshëm i Interit u krijua nga Vesino, që vuri në provë portierin Konsilji. Në fillim të pjesës së dytë Boateng pati një rast të shkëlqyer, por Handanoviç i mohoi sërish golin. I shkëlqyer portieri slloven, ndër më të mirët në fushë.

Interi filloi të bëhej më i rrezikshëm me kalimin e minutave. Politano pati një rast të shkëlqyer, por portieri Konsliji bëri sërish heroin me një pritje fantastike. Në minutat e fundit të lojës Lautaro Martinez pati një tjetër rast të rrezikshëm, por përsëri u bë pengesë “gardiani” i Sasuolos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *