“Kur kisha nevojë për Shqipërinë, ajo nuk ishte aty, unë e ndihmova”! Eros Grezda flet pasi la futbollin, do të kishte pranuar Kosovën nëse…

Eros Grezda vendosi që të largohet momentalisht nga futbolli. Pasi ekipi i tij Rudes në Kroaci ra nga elita, futbollisti shqiptar e mbylli bashkëpunimin me skuadrën dhe zgjodhi që të linte për pak futbollin. Në një prononcim për “Koha.net”, Grezda u shpreh se niveli i dytë në Kroaci nuk e motivonte.

“Jam lodhur nga këto lëndime. Kam pasur kontratë edhe një vit me Rodeshin, e respektoj si ekip, por nuk kam dëshirë të luaj në ligë të dytë dhe për këtë arsye shkëputa kontratën. Nëse vjen ndonjë ofertë serioze dhe jam mirë me shëndet do t’i bashkohem, por nuk besoj. Futbollit nuk i dihet, por gjasat janë të vogla”, tha Grezda.

Nga krahu tjetër, Erosi foli edhe për Kombëtaren e Shqipërisë. Sipas tij, në momentin që Shqipëria kishte nevojë për të, ai gjendej aty, ndërsa kur Grezda kishte nevojë për të, Shqipëria nuk gjendet aty.

“Të gjithë ata që më njohin, unë jam një djalë realist. I flas gjërat ashtu siç janë. Kam qenë një ndër talentet më të mëdhenj shqiptarë. Prej moshës 20-vjeçare kam bërë karrierë të suksesshme. E kam realizuar qëllimin jetësor të karrierës ku nënshkrova  kontratë me një prej klubeve më të mëdhenj në botë. Jam bërë shqiptari i parë që kam nënshkruar kontratë me klubin me më së shumti trofe në botë. Ka qenë një arritje e vogël për mua.

Pastaj filluan krejt probleme të tjera. Nuk jam i kënaqur me arritjet e mia, pasi kam besuar se mund të arrij shumë më shumë, mirëpo jeta i ka këto sfida. Duhet të vazhdoj gjëra të tjera. Do të doja të isha pjesë e një Evropiani, por për fat të keq nuk isha. Shqipëria ishte ëndrra ime. Kur mora ftesë Kosova nuk ishte e pranuar dhe pranova direkt. Kur Shqipëria ma kishte nevojën, unë kam qenë gjithmonë aty, por unë kisha nevojë për Shqipërinë, nuk është se më ka ndihmuar. Edhe sporti i ka këto padrejtësi”, ka thënë Grezda. /Sport Ekspres/