Urdhri i prerë i Junajtid: Pol Pogba, hesht!

0

Kur flitet shumë për një temë dhe situatë të caktuar, gjërat përkeqësohen dhe zgjidhja më e mirë është heshtja. Raporti i Pol Pogba me Zhoze Murinjon nuk është aspak pozitiv, përkundrazi. Një gjë e tillë e ka detyruar klubin e Mançester Junajtid të marrë masa dhe të frenojë mesfushorin francez.

Siç citon “The Mirror”, drejtuesit e Junajtid nuk i kanë ndaluar Pogbasë konferencat për shtyp dhe deklaratat në media, por ai duhet të harrojë diçka. Asnjë koment për trajnerin portugez dhe asnjë fjalë për merkaton dhe të ardhmen e tij.

Një gjë e tillë sjell polemika, kështu që më mirë asnjë fjalë. “Nuk mund të flas, nuk më lejohet ta bëj një gjë të tillë. Dëshiroj shumë të flas, por nuk jam i autorizuar, më kanë kërkuar të mos flas”, është shprehur Pogba për “The Mirror”, pas ndeshjes së Champions-it kundër Valencias.

Gjithçka nisi me deklaratën e Pep Guardiolës, i cili u shpreh në majin e kaluar se Mino Rajola (menaxheri i Pogba) i ka ofruar mundësinë e blerjes së lojtarit. Një gjë e tillë solli kritika të shumta për 25-vjeçarin dhe që nga ai moment nuk kanë mbaruar kurrë polemikat me trajnerin dhe rëndësinë e tij tek ekipi i “Djajve të Kuq”.

Me Barcelonën dhe Juventusin që presin janarin për të nisur sulmin për shërbimet e tij, mesfushorit i mbetet të stërvitet fort, të zhvillojë ndeshje të mëdha dhe të mbajë gojën mbyllur.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.