Reali prezanton talentin e madh brazilian, nuk do të largohet në huazim

0

Reali i Madridit ende nuk ka bërë ndonjë goditje të madhe në merkato, nga ato që bëjnë tifozët të ëndërrojnë që në verë, por ndërkohë vazhdon të prezantojë lojtarë të rinj e të talentuar.

Sot e ka pasur radhën sulmuesi brazilian Vinicius Zhunior, i cili është bërë prej kohësh pronë e Realit, që ka paguar 45 milionë euro për t’ia marrë Flamengos, por transferimi është realizuar tani, pasi Vinicius duhej të mbushte moshën madhore.

PEREZ – “Si çdo sezon, Reali do të synojë të fitojë gjithçka, siç na e kërkon historia jonë. Do të vazhdojmë të punojmë për një të ardhme të ndritur, duke kërkuar talentet më të mëdhenj. Thashë që do ta përforcojmë skuadrën me lojtarë të mrekullueshëm dhe atë jemi duke bërë. Vinicius e prisnim prej kohësh, sepse na ka magjepsur dhe sepse besojmë se mund të bëhet ndër më të mëdhenjtë në Madrid. Jemi të bindur se është një nga ata lojtarë që do të lenë shenjë në të ardhmen”, deklaroi presidenti i Realit, Florentino Perez.

VINICIUS – Më pas foli talenti brazilian: “Është mundësia më e mirë që ka një futbollist, do të sakrifikoj shumë për të treguar se e meritoj këtë mundësi. Sakrifica nuk është diçka e re për mua, vij nga një familje shumë e thjeshtë dhe jam krenar për të dhe për vlerat që më ka transmetuar. Kam jetuar larg familjes që të kisha mundësi të triumfoja. Tani kam nderin të mbërrij në majën e botës, që është Madridi, në moshën 18-vjeçare. Me këtë moshë, do t’u tregoj shokëve dhe trajnerit që jam i përgatitur për të luajtur. Do të bëj gjithçka që të përshtatem sa më shpejt. Më krahasojnë me Nejmarin për nga mënyra e lojës, shpresoj t’i ngjaj. Luaj kryesisht në të majtë të sulmit, trajneri Lopetegi po më flet shumë dhe më ka kërkuar që të mos bën shumë driblime, sepse është e rrezikshme. Nejmar në Madrid? Ëndërroj të luaj me të dhe nëse do dojë Zoti, do luaj me të në kombëtare”.

Reali ka vendosur që Vinicius të qëndrojë në Madrid, duke mos u huazuar, pasi do të jetë më mirë për të që të stërvitet me ekipin e parë, edhe pse mund të luajë disa ndeshje në ekipin B, për të fituar minuta e eksperiencë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.