Nata e mallkuar e Higuain, Juve i jep leksionin e radhës Milanit

0

Të ndalësh Juventusin e viteve të fundit në Itali është bërë mision thuajse i pamundur, të mundohesh ta bësh me gjysmë ekipi, është utopi.

U mundua me të gjitha forcat sot Milani, por u mund 2-0 dhe nuk pati as fatin me vete, ai që mund t’i jepte një përqindje plus në përballjen e pabarabartë me kampionët e Italisë, që prej një dekade dominojnë në San Siro.

Në njërin krah Kristiano Ronaldo, në krahun tjetër Zapata e Abate, lojtarë që ndoshta nuk do të gjenin vend as tek rezervat e rezervave te Juventusi, mjafton kaq për të kuptuar çfarë i priste kuqezinjtë.

Që në fillim u kuptua që do të ishte një mbrëmje e vështirë për skuadrën e Gatuzos dhe në minutën e tetë Manxhukiç konkretizoi epërsinë e madhe të Juves.

Në vazhdim Milani ishte tepër inferior, por Juve nuk e dha goditjen finale dhe në fund të pjesës së parë VAR ndërhyri, për të dhënë një penallti në favor të Milanit, pasi Benatia preku me dorë një top të kontrolluar në zonë nga Higuain.

Argjentinasi, i cili në verë u largua për t’i bërë vend Ronaldos, ishte tepër i karikuar në këtë sfidë dhe e mori vetë përsipër penalltinë, duke e çuar në shtyllë, edhe për shkak se portieri Shçesni devijoi lehtë.

Në pjesën e dytë Milani tregoi më shumë kurajo dhe u fut edhe Kutrone, duke bërë që ndeshja të ishte mjaft e hapur dhe me sulme e kundërsulme, por në minutën e 81-të Milani e bëri lëmsh në mbrojtje dhe Kristiano Ronaldo nuk fali, duke mbyllur gjithçka.

Tre minuta më vonë Higuain u ndëshkua me karton të verdhë për një faull të kotë, u tërbua dhe shau arbitrin Macoleni, i cili e nxori me karton të kuq.

Natë e mallkuar për Milanin, por edhe për Higuain, ndërsa Juventusi mbetet i pari, i shkëputur. 34 pikë në 12 ndeshjet e para e Serinë A, rekord absolut për kampionatet më kampionat unik: Juve ne histori!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.