Lufta vazhdon, Mziu: Kamzën e ndihmoj kur Qarri të likuidojë lojtarët

0

Kryetari i bashkisë Kamzë, Xhelal Mziu, ishte i ftuar në emisionin “FAIR PLAY” në “Ora News”, ku foli për problemet financiare të klubit të Kamzës. Kryebashkiaku u shpreh i gatshëm për të ndihmuar klubin, por fillimisht ai kërkon që presidenti Naim Qarri të likuidojë lojtarët për gjysmën e parë të sezonit.

SITUATA TE KAMZA – “Këtë vit e shikoj ekipin në një situatë jo të mirë. Presidenti i ekipit nuk duhet të ndihet në vështirësi ekonomike, pasi jemi në gjysmën e sezonit dhe ai duhet ta kishte paguar ekipin, pasi ka 51% të aksioneve. Këtu nuk shoh vështirësi financiare, por kontradikta”.

“Siç e thashë Qarri ka 51% të aksioneve. Ne jemi në gjysmën e kampionatit dhe një pjesë e futbollistëve thonë që s’kanë marrë 6 ose 7  rroga, pra nuk është hedhur asnjë lek. Bashkia ka qenë  kontribuesi kryesor vitin e kaluar, për të mos thënë 100% vitin e kaluar. Këtë vit kemi kërkuar që të kemi një kuotë të paracaktuar, që të dimë sa duhet të kontribuojmë, por për momentin nuk ka asnjë gjë konkrete”.

“Bashkia është e gatshme të financojë kur presidenti të kryejë pjesën e vet të likuidimit ndaj lojtarëve. Më shumë se sa gjysma e kampionatit duhej financuar nga presidenti, si pronar i 51% të aksioneve. Ne si bashki do të financojmë pjesën tonë, kur këtë gjë ta bëjë dhe presidenti i klubit.”

“Duhet t’ju kujtoj se Qarri është akoma debitor për vitin e kaluar. Gjithsesi për këtë vit jam i gatshëm për të kontribuuar 49% e bashkisë, por e përsëris këtë gjë do e bëj kur ai të paguajë 51% e vet”.

“Nuk kam një krisje marrëdhëniesh me Naim Qarrin. I kam kërkuar që aksionet e tij ose t’i shesë ose t’i dhurojë, ose t’ia blejë bashkisë pjesën e mbetur. Është e pamundur që presidenti i klubit të jetë dikush që nuk kontribuon dhe bashkia të jetë donatori”.

“Nuk është aspak e moralshme që në sytë e publikut 90% e futbollistëve nuk u paraqitën në ndeshjen e Partizanit. Si mund të kesh 51% të aksioneve dhe të bësh blerje pa hedhur asnjë qindarkë. Vitin e kaluar ne financuam 100% të shpenzimeve, 0 lek ka paguar Qarri. Këtë vit i kam thënë ‘sa të kontribuosh ti do kontribuojë dhe bashkia’. Edhe pse kam 49% të aksioneve, s’kam pasur informacion mbi kontratat dhe blerjet e skuadrës”.

“Nëse Qarri ka falimentuar, siç ka falimentuar, pasi ka 4 ose 5 vite që nuk hedh asnjë lek, le t’i shesë aksionet. Kanë falimentuar kompani më të fuqishme, nuk është hataja nëse ka falimentuar Qarri. Është e pamundur që të kesh emrin dhe 0 financim”.

“Ky është një konflikt i hershëm që ka bashkia me Qarrin, por në vitet e kaluar i kemi mbajtur të fshehur. Këtë vit nuk kemi bërë asnjë mbledhje ku të diskutojmë për shpenzimet. Me mua nuk janë konsultuar prej vitesh për as edhe një kontratë. Normalisht pyetet, kjo nuk funksionon nëse bashkua paguan 100%. Unë u kam thënë shumë futbollistëve që ata po bëjnë kontrata të njëanshme”, tha Mziu.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.