Situata te Çelsi nuk duket aspak e favorshme për trajnerin Antonio Konte. Dhe italiani nuk ka ndër mend të mbajë i vetëm faturën e një dështimi të mundshëm të kampionëve në këtë sezon. Ndaj ai ka sulmuar sërish klubin për çështjen e merkatos. Duke folur në prag të ndeshjes kundër Evertonit, Konte ka ngritur tonet: “Është e pamundur të përballosh 4 kompeticione me vetëm 11 apo 13 lojtarë.”

Në fakt Çelsi nuk është se ka qëndruar duarkryq, sepse deri më tani “Blutë” kanë shpenzuar 120 milionë sterlina në merkato, duke afruar me radhë Rydiger në mbrojtje, Bakajoko në mesfushë dhe Moratën në sulm. Por për Konten afrimet e deritanishme nuk mund të arrijnë të mbulojnë të gjithë sezonin. Drejtori teknik i Çelsit Mikael Emenalo dhe drejtoresha e përgjithshme Marina Granovskaia kanë vetëm 5 ditë për të siguruar ndonjë afrim tjetër në merkato, teksa merkato mbyllet të enjten. Çelsi është në bisedime me Okslejd-Çambërlein të Arsenalit, Dani Drinkuoter dhe Xhemi Vardi (Lester), Ros Barkli (Everton), Sedrik Soares (Sauthempton) si dhe Fernando Jorenten (Suonsi).

“Shpresoj që pas pushimeve për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare, të kem të gjithë lojtarët të gatshëm. Do të luajmë 7 ndeshje në një muaj dhe do të më duhet të bëjë rotacion në ekip. Nëse dikush mendon se gjatë gjithë kohës mund të përdor vetëm 11 lojtarë apo 13, kjo është e pamundur. Ne jemi në merkato me objektiv përforcimin e skuadrës”- ka thënë Konte.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image