Gjoka: Ramën nuk e lëshojmë! Rexhinaldo? Pyesni klubin!

0

Kukësi luan nesër ndeshjen e kthimit në Kupë me Skënderbeun dhe këtë herë skuadra verilindorë do të jetë më e plotë. Trajneri Ernest Gjoka doli sot para mediave dhe fillimisht deklaroi: “Do shkojmë të luajmë ndeshjen tonë në Korçë, pa menduar për ndeshjen e vajtjes. Skuadra është duke u kompletuar, Rama është këtu krah meje dhe do jetë gati, po ashtu disa lojtarë të tjerë janë drejt riaftësimit të plotë”.

Një çështje tjetër për të cilën foli tekniku i Kukësit janë edhe kontratat në përfundim të lojtarëve: “Janë marrëdhënie të klubit me lojtarët, gjëra normale. Kur klubi dëshiron t’i mbajë disa lojtarë, i mban ata duke u përmirësuar kushtet financiare, ndaj më të gjithë do ketë bisedime. Për Rexhinaldon duhet të pyesni klubin, nuk më intereson pjesa pas këtij sezoni për momentin”.

Kupa është objektivi kryesor i Kukësit dhe Gjoka deklaron: “Me një president si Gjici dhe një trajner si unë, duhen vetëm trofe. Kampionati iku, ndaj kupa është detyrim për mua. Po të kishim ecur me mirë e të kishim pasur pak fat në disa ndeshje, kampionati do ishte shume më i bukur e interesant”.

VALDET RAMA – Më pas e mori fjalën sulmuesi anësor, që tregon se është mirë fizikisht dhe gati të luajë. “Jam mirë fizikisht, kam pasur 3 javë jo të mira. Lëndimet më kanë shqetësuar disa herë, por tani jam kthyer dhe nuk ndiej dhimbje. Natyrisht, nuk është e lehtë të përballesh shpesh me dëmtime, por duhet parë përpara. Lëndimet janë pjesë e lojës”, u shpreh Rama.

Më tej ai shtoi: “Kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme e të vështirë, por jam optimist se do ia dalim.  Kampionati shqiptar më pëlqen, po zhvillohet gjithnjë e më shumë dhe jam duke dhënë maksimumin për të ndihmuar ekipin tim. Ka lojtarë të talentuar në Superiore, nuk veçoj dot askënd me emër”.

E ardhmja është një temë e rëndësishme për sulmuesin anësor, i cili deklaron: “Kam kontratë me Kukësin, të fitojmë Kupën një herë”. Ndërkohë ka pasur edhe një ndërhyrje të trajneri Gjoka, i cili qartazi është shprehur: “Nuk e lëshojmë Valdetin”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.