Gatuzo gjysmë i kënaqur: Duhet akoma përmirësim!

Milan triumfoi pasditen e sotme ndaj Kievos në shtëpi me shifrat 3-1. Një dygolësh i Higuain dhe një gol i Bonaventurës i japin fitoren e tretë radhazi kuqezinjve në të gjithë kompeticionet. Pas përfundimit të sfidës trajneri Gatuzo ka folur për mediat, ku është shfaqur i kënaqur deri diku.

EKIPI – “Loja e mirë ka qenë gjithmonë, thjesht kanë munguar finalizimet dhe 3 pikët. Është normale që më kënaq fitorja, por ajo që më shqetëson më shumë janë gabimet, ku sot bëmë përsëri, teksa i dhuruam golin kundërshtarit. Gjithashtu do të shtoja se duhet të përmirësohemi nga krahu i majtë, pasi sezonin e kaluar kemi qenë më mirë në atë krah.”.

HIGUAIN – “Gonzalo është një kampion, një finalizues i shkëlqyer dhe një njeri i aftë edhe për të udhëhequr kur ekipi ka nevojë për të”.

MARRËDHËNIA ME LOJTARËT – “Unë dua lojtarë, të cilët më kuptojnë kur flas dhe janë të vëmendshëm. Jo çdokush ka të njëjtin karakter, disa kanë nevojë për një shpullë nga pas, disa kanë nevojë që t’u bërtasësh, kështu që secili duhet të trajtohet në mënyrë të ndryshme.

Dhe në fund nuk kishte si të mungonte një pyetje ndaj Gatuzos, për sa i përket ndeshjes së ardhshme të Milanit, që do të luhet pas dy javësh. Do të jetë pikërisht derbi ndaj Interit.

DERBI – “Derbi është një ndeshje që të gjithë mezi e presin, jo më kot në stadium janë të paktën 80 mijë tifozë. Ne do të jemi gati dhe do të fokusohemi pas pushimit të kombëtareve”, përfundoi tekniku i kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *