FOTO | “Karton i verdhë” për Paratiçin, zbulohen sekretet e Juves!

Merkato e janarit akoma nuk është mbyllur dhe klubet ndodhen në ditët e fundit të saj. Gjithçka mbyllet të premten dhe të gjithë po nxitojnë për të realizuar goditjet finale.

Gjithçka i ngjan filmave me spiunë: sekrete, informacione të rezervuara dhe goditja e befasishme, duke fituar konkurrencën me rivalët. Por, ndodhin dhe gabime. Një i tillë i ka ndodhur Fabio Paratiçit, drejtorit sportiv të Juventusit.

Zyrtari bardhezi ka qenë duke drekuar në një restorant në Milano dhe kur është larguar ka harruar diçka. Një fletë plot emra dhe shifra, që në fakt kishte të shkruar objektivat e klubit torinez.

Gjithçka zbulohet nga “Il Tempo”, që ka arritur të sigurojë letrën e “shtrenjtë”. Sipas gazetës romane një tifoz i pranishëm në restorant ka njohur Paratiçin, e ka vëzhguar atë dhe ka marrë fletën e harruar, sapo juventini është larguar për t’ia dërguar më pas gazetës.

Po çfarë mbante letra? Emrat e kërkuar nga Juventusi dhe çmimet përkatëse që i vlerësonte Paratiçi.Zaniolo i Romës (i vlerësuar 40 milionë euro), Kieza i Fiorentinës (50 milionë euro), Romero i Xhenoas (20 milionë) dhe Tonali i Breshias (20 milionë euro). Në listë ka dhe disa lojtarë të rinj si Szoboszlai i Salsburgut.

Paratiçi mendon një huazim me të drejtë blerje për 10 milionë euro për fantazistin hungarez, ndërsa Zenaro i Venecias është një tjetër talent që pëlqehet.

Në fund objektivi kryesor: Sergej Milinkoviç-Saviç i Lacios. Serbi mendohet si zëvendësuesi i Pjaniç dhe sulmi për të do të nisë në fund të sezonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *