Trajneri i Fejnordit shpalli kandidaturën për stolin e Liverpulit, Klopi: Është puna më e mirë në botë në klubin më të mirë në botë

Arne Sloti shpalli hapur ambicien e tij për të marrë drejtimin e Liverpulit. Trajneri i Fejnordit, i cili dy vite më parë provoi të fitonte trofeun e Ligës së Konferencës në Tiranë, tha se klubet po negociojnë që ai të jetë pasardhësi i Jurgen Klopit në “Enfild”. Trajneri gjerman është pyetur në lidhje me vetëshpalljen e kandidaturës nga Sloti në konferencën e sotme për shtyp dhe është përgjigjur se në Liverpul do të merrte punën më të mirë në botë.

“Arne Slot pasardhësi im? Nuk e kisha lexuar, por ma thanë. Më pëlqen se si skuadra e tij luan futboll. Unë nuk e njoh, por njerëzit që e njohin thonë se është person i mirë. Është puna më e mirë në botë. Klubi më i mirë në botë. Njerëz fantastikë. Do të merrte një punë vërtetë shumë interesante”, ka deklaruar Jurgen Klopi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/