Dilaver Duka është lojtari më i ri i Partizanit. Mesfushori 29-vjeçar ishte i pranishëm në fazën përgatitore të “Demave”, që e kryen në Antalia. Fillimisht, Duka ishte në provë te skuadra kryesuese e kampionatit dhe me ndeshjet e tij miqësore dhe me seancat stërvitore, duket se ka bindur teknikun Gega.
Dilaver Duka bëhet kështu afrimi më i fundit te Partizani dhe do të jetë një vlerë e shtuar për të besuarit e Gegës, që kërkojnë me doemos të arrijnë te titulli kampion. Në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”, është bërë zyrtare firma e Dukës me skuadrën e Partizanit.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Dilaver Dilly Dukën. Kontrata e firmosur me drejtuesit e klubit do të jetë e vlefshme për pjesën e mbetur të këtij sezoni futbollistik me opsion rinovimi edhe për vitin e ardhshëm. Mesfushori shqiptar gëzon një karrierë të suksesshme në kampionatin profesionist të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka qenë pjesë e ekipeve elitare New York Red Bulls dhe Chicago Fire. Duka do të provojë eksperiencën e parë në kampionatin tonë dhe do të mbajë në fanellë numrin 28”, njofton klubi i kuq.