Çelsi ka bërë detyrën, duke fituar 1-0 në Pragë ndaj Slavias së Peter Olajinkës (titullar). Shënoi Alonso në minutën e 86-të, në një ndeshje ku Sarri la në stol emra si Hazard e Kante, por në pjesën e dytë belgu u fut në fushë dhe presioni i Bluve u rrit ndjeshëm, derisa Uillian dha pasimin final për Alonson. Fitorja afron ndjeshëm kualifikimin për në çerekfinalet e Europa League për anglezët.
Thuajse e kualifikuar edhe Valencia, që me një cinizëm të jashtëzakonshëm ka fituar 3-1 në transfertë, në derbin kundër Vilarealit. Një sezon i zi për Vilarealin, që rrezikon rënien nga La Liga dhe nuk ka fat në asnjë drejtim.
Valencia fitoi një penallti në minutën e gjashtë, por edhe pse Fernandez e grushtoi gjuajtjen e Parehos, Guedesh u tregua i shkathët dhe shënoi.
Në minutën e 36-të penallti për Vilarealin dhe Kazorla këtë radhë nuk gaboi, pas lotëve të fundjavës së shkuar, për shkak të penalltisë së humbur në fundin e ndeshjes ndaj Betisit.
Në pjesën e dytë Vilareali e rriti ndjeshëm presionin, por nuk diti të shënonte, ndërsa në shtesë Vas dhe Guedesh fundosën “Nëndetësen e verdhë”.
Ndërkaq, në Lisbonë Benfika mundi 4-2 Aintrahtin e Frankfurtit, në një ndeshje spektakolare, që do të mbahet mend mbi të gjitha për paraqitjen madhështore të Zhoao Feliks, sulmuesit 19-vjeçar që vlen 120 milionë euro, e pakta.
Talenti i madh i Benfikës shënoi 3 gola, dha një asist dhe ishte mbreti i ditës në Europa League, ndaj tashmë Reali, Barcelona, PSG, Juventusi dhe klubet angleze janë gati për ankandin e çmendur.