Goli i sulmuesit spanjoll Jorente në takimin e djeshëm midis Mançester Sitit dhe Totenhemit solli jo pak polemika.
Pep Guardiola ishte i pari nga klubi i eliminuar që ngriti dyshime mbi atë vendim të arbitrit Çakir dhe sistemit “VAR”. Ndërkohë, në Angli ka filuar një debat në lidhje me rastin në fjalë.
Pamjet e kamerës së vendosur mbrapa portës tregojnë qartë që topi u devijua nga bërryli i Jorentes dhe më pas ra në pjesën e këmbëve të spanjollit. Megjithatë, ky kënd nuk ishte pjesë e pamjeve që arbitri Çakir pa në ekranin e sistemit “VAR”. Veprimet e turkut në përfundim të analizës tregojnë qartë që ai është i mendimit që nuk ka pasur kontakt midis topit dhe dorës së lojtarit, diçka kjo e pavërtetë.
Ish-futbollisti Ouen Hargrivs e cilësoi si të rregullt golin, duke thënë se kontakti është shumë i butë dhe Jorente ndodhet në një pozicion natyral: “Jorente është në një pozicion natyral. Do të ishte me të vërtetë shumë e ashpër nëse ai gol do të anulohej. Me pamjet filmike që kemi parë arbitri Çakir nuk e ka parë këtë pamje. Ndoshta do të ndryshonte vendimin e tij, por për mendimin tim është kemi të bëjmë me një detaj shumë të vogël”.