Ndeshja e djeshme mes Barcelonës dhe Realit të Madridit nuk pati histori në fushën e blertë. Katalanasit u treguan të pamëshirshëm, duke shpartalluar ekipin e Lopeteguit me rezultatin e thellë 5-1.
Një gjest interesant ka ndodhur gjatë klasikes së futbollit iberik. Tifozët e Barçës kanë filluar të ofendojnë Serxho Ramos. Kapiteni i Realit është i urryer në ato anë, për shkak të temperamentit të tij, por jo vetëm. Ofendime në kor, por në krah të mbrojtësit madrilien ka dalë Zherard Pike.
Marrëdhëniet e tij mes Ramos nuk janë të shkëlqyera, por Pike ka sinjalizuar tifozët të ndalonin koret kundër Ramosit. Dora e ngritur lart dhe sinjali me gisht, duke e bërë të qartë se duhet të ndalonin.
Momenti është kapur nga programi televiziv “El Partidazo de Vamos”, që ka postuar pamjet në “Twitter”. Një gjest fantastik i mbrojtësit të Barcelonës, i cili ka marrë komente pozitive nga tifozë të ndryshëm në rrjetet sociale.