Përballja midis Milanit dhe Empolit nuk rezervoi surpriza. Djemtë e Gatuzos nuk lanë vend për diskutim, teksa fituan me rezultatin 3-0 dhe me një lojë dominuese nga minuta e parë në të fundit.
Pjesa e parë filloi me një gol të Paketas, por sistemi VAR anuloi festën e brazilianit duke sinjalizuar për një pozicion jashtë loje. Megjithatë, pjesa e dytë ishte një histori krejt ndryshe.
Piatek zhbllokon sfidën në minutën e 49-të, ndërsa Kesie dyfishon pas vetëm dy minutash. I mrekullueshëm sulmusi polak, i cili ka shënuar golin e katërt në po aq ndeshje si titullar në Serinë A me fanellën kuqezi, diçka që e kishte bërë për herë të fundit Oliver Bierhoff, 21 vite më parë.
Në të 67-ën Kastijeho çon shifrat në 3-0 falë një pasimi nga i rikthyeri pas një dëmtimi të rëndë Andrea Konti, i cili tregoi se jo më kot u shpenzuan mbi 20 milionë euro për kartonin e tij.
Milani fluturon, në javët e fundit ka pasur ritëm të çmendur dhe tashmë lutet që Interi e Roma të gabojnë, për ta bërë akoma më të bukur fundjavën.
MILAN 3 – 0 EMPOLI
Shënues: Piatek 49′, Kesie 51′, Kastijeho 68′