Klaudio Ranieri e nis me këmbën e mbarë te Roma, teksa në debutimin në stolin e kryeqytetasve, ka marrë një triumf 2-1 ndaj Empolit. Një fitore jo e lehtë për verdhekuqtë, të cilët lënë momentin e keq që po kalonin dhe ngjiten në kuotën e 47 pikëve.
Sfida nisi menjëherë me ritëm, ku në 12 minuta u shënuan dy gola. Fillimisht, ishte Stefan El Sharaui, i cili shënoi një gol mjaft të bukur me të majtën, duke i dhënë avantazhin Romës.
Reagimi i miqve ishte i menjëhershëm, ku vetëm pas 3 minutash vunë baraspeshën në zhvillimet e një goditje standarte. Ishte Huan Zhesus, i cili në mënyrë të pafat shënoi në portën e tij.
Gjithsesi, ekipi verdhekuq arriti të gjente dhe një herë avantazhin, teska në minutën e 33-të ishte Patrik Shik, i cili kërceu mbi të gjithë me kokë dhe shënoi golin për të çuar shifrat në 2-1.
Pjesa e dytë ishte më e mirë për miqtë e Empolit, të cilët provuan deri në fund për të marrë diçka nga sfida. Në minutën e 80-të, Roma mbeti me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Alesandro Florencit.
Tetë minuta më vonë, ishte Kruniç, i cili shënoi për Empolin, duke vëën përsëri baraspeshën, por vetëm për një moment. Roma konteston për një faull të Oberlin ndaj Huan Zhesus dhe arbitri i drejtohet sistemit VAR. Sipas pamjeve, gjyqtari vendos të anulojë golin për një top të prekur me dorë nga Oberlin dhe kështu gjithçka mbyllet në 2-1 mes vuajtjeve për Romën.