Rivaliteti dhe urrejtja midis Boka Zhuniorsit dhe River Plejtit nuk njeh limite. Derbi i kryeqytetit argjentinas është një nga përballjet më të zjarrta në botë, brenda dhe jashtë fushe. Diçka e tillë u vu re dhe gjatë finaleve të Kupës Libertadores, ndërsa organizatorët vendosën ta transferonin finalen e dytë në Madrid të Spanjës.
Një episod i veçantë ka ndodhur së fundmi. Riveri po luante në shtëpi përballë Rasingut, ndërsa rreth stadiumit “Monumental” është parë një tifoz armik. Një person me bluzën e Bokës ka guxuar të futet në zonën e ndaluar, duke sjellë irritimin e tifozëve të Riverit.
Këta të fundit e kanë marrë si provokim dhe një prej tyre ka reaguar. Tifozi i Bokës nuk i ka shpëtuar grushteve, por policia i ka ardhur në ndihmë. Tifozi i Bokës ka vazhduar rrugën dhe një polic e ka detyruar të heqë bluzën, pasi më tej mund të binte përsëri pre e sulmeve të rivalëve të përjetshëm.