VIDEO | Gjimshiti “fundos” Interin, Atalanta “shkërmoq” zikaltrit

Atalanta e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit arriti një sukses mjaft të rëndësishëm ndaj Interit, teksa e shkatërruan me rezultatin 4-1, ku goli i tretë u shënua pikërisht nga mbrojtësi ynë. Një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund nga bergamaskët, të cilët ishin superior ndaj një Interi, që ishte inekzistent në fushë.

Një pjesë e parë, e cila u dominua e gjitha nga Atalanta. Vendasit gjetën avantazhin që në minutën e 9-të me anë të Hateboer, teksa më pas kanë humbur raste pafund, me Iliçiç, i cili ndoshta mban peshën më të madhe, pasi gaboi dy herë i vetëm përballë Handanoviç. Portieri zikaltër ishte padyshim më i miri për ekipin e tij.

Në fraksionin  e dytë, zikaltrit duket se u futën me besim se mund të bënin diçka pavarësisht paraqitjes në pjesën e parë dhe menjëherë arritën të linin shenjë. Arbitri kryesor i takimit akordon një penallti për një top të prekur me dorë në zonë, në një aksion ku kishte faj dhe portieri ynë, Etrit Berisha. Mauro Ikardi u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe çoi shifrat në barazim.

Atalanta vijoi përsëri me presionin e saj dhe me kundërsulmet e shpejta, por u desh një goditje standarde për të shënuar. Mancini përfitoi nga krosimi i mirë i Iliçiç dhe shënoi me kokë, duke i dhënë përsëri avantazhin të tijve. Në fundin e takimit, Atalanta hipotekoi çdo gjë në minutën e 89-të. Ishte pikërisht mbrojtësi i kombëtares tonë, Berat Gjimshiti, i cili kërceu mbi të gjithë dhe e dërgoi topin në rrjetë. Goli i parë për të me fanellën e Atalantës.

Qershia mbi tortë u vendos nga Alehandro Papu Gomez. Argjentinasi realizoi një perlë të vërtetë në minutën e katërt shtesë. Inter ndërkohë e mbylli me një lojtar më pak, pasi Brozoviç u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *