Empoli dhe Frederik Veseli kanë marrë një triumf me shumë vlera në ndeshjen që u luajt mesditën e sotme ndaj Fiorentinës. Ishte Diego Farias heroi i takimit, i cili shënoi në minutën e 54-të golin e vetëm të takimit.
Kështu, ekipi i Veselit merr një tripikësh që e çon në kuotën e 32 pikëve, dy më pak se Udineze i vendit të 17-të, kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi i kampionatit. Ndërkohë, Fiorentina nga ana tjetër, duket krejtësisht pa busull, me vjollcët që marrin humbjen e tretë në tre sfidat e fundit në Serie A.
Ekipi i drejtuar nga Montela e sheh veten në vendin e 12-të, në kuotën e 40 pikëve. Javën e ardhshme, ekipi nga Firence pret Milanin në shtëpi, ndërsa Empoli udhëton në transfertë ndaj Sampdorias.
SERIE A
Empoli 1-0 Fiorentina
Shënues: Farias 54′