Ardhja e Vasil Shkurtajt te Kukësi tronditi jo pak pozitat e sulmuesit mozambikas, Rexhinaldo, që ka humbur vendin e titullarit në formacionin e trajnerit Cungu. Tekniku shkodran vazhdon të insistojë se të dy lojtarët nuk mund të luajnë së bashku, por goli i parë i Kukësit përballë Apolonisë, tregon diçka tjetër.
Autor i golit ishte Shkurtaj, i cili shkëputet mirë nga mbrojtja e Apolonisë, driblon në hyrje të zonës dhe shënon me të djathtën. Gjatë këtij aksioni, Rexhinaldo kishte mundësinë disa herë të merrte topin dhe të godiste vetë, por krijoi hapësira për shokun e tij të sulmit.
Gjatë gjithë takimit, dyshja e sulmit kombinoi mirë dhe me mbështetjen nga krahët të Çyrbjas, Et’hemit dhe Valdet Ramës në pjesën e dytë, krijuan disa raste të rrezikshme. Megjithatë, pas ndeshjes Cungu tha se nuk e mendon aspak të luajë me dy sulmues si titullarë, por vetëm kur të jetë e domosdoshme.