Në konferencën e sotme për shtyp, së bashku me Bekim Balajn ishte edhe Frederik Veseli. Pikërisht mbrojtësi i kombëtares foli për trajnerin e ri, ndeshjet e radhës, si dhe për të ardhmen e tij.
TRAJNERËT QË KA KALUAR VESELI NË KOMBËTARE – “Janë trajnerë të ndryshëm dhe secili ka stilin e tij, punon në mënyrën e tij. Është shumë herët të gjykojmë punën e trajnerit edhe nuk kam dëshirë të gjykoj. Jam lojtar dhe bëj punën timë si çdo lojtar i kombëtares. Kryesorja është të marrim rezultate pozitive.”
DY NDESHJET E RADHËS – “Me gjashtë pikë do ishim të kënaqur, por normal futbolli nuk të lejon të fitosh gjithmonë. Qëllimi ynë është të koncentrohemi në ndeshjen e parë. Shpresoj të bëjmë një paraqitje pozitive. Rezultati do të vijë.”
FORMA E ISLANDËS – “Besoj se Islanda si çdo skuadër kur arrin në kulm, ka një rënie tashmë. Nuk është ai ekip që ka qenë dhe shpresoj ta shfrytëzojmë këtë rast, pse jo të dalim dhe me fitore. Jemi përqendruar më shumë në lojën tonë, por do të nisim të studiojmë edhe kundërshtarin tashmë.”
E ARDHMJA E VESELIT – “Kam edhe dy vite kontratë dhe jam lojtar i Empolit. Nëse vjen diçka më e mirë për mua dhe klubin do ta shikojmë. Kam mundësinë të luaj më lart dhe do të shohim çdo të ndodhë.”