Veliu kërkon Europën dhe pret rrogat, Kale tremb Tiranën

0

Flamurtari luan ndeshjen e fundit të sezonit në kryeqytet përballë Tiranës, e cila nga ana e saj ende nuk e ka siguruar mbijetesën. Në kuadër të këtij takimi, përpara mediave kanë folur Franc Veliu dhe Elton Kale. Fillimisht, foli mbrojtësi vlonjat, i cili u ndal në disa tema.

NDESHJA ME TIRANËN – “Sigurisht që është ndeshja e fundit e kampionatit dhe çdo ekip mendon që ta mbylli në mënyrën më të mirë. Ne e kemi mendjen edhe shpresën të luajmë në Europë dhe luajmë një ndeshje për të marrë maksimumin. Luajmë ndaj një ekipi që është relativisht i fortë dhe ka shumë nevojë për pikë.”

PAUZA E NDESHJES ME KAMZËN – “Të gjithë futbollistët janë pak të lodhur dhe mendoj se kjo pauzë na ka bërë mirë për ndeshjen e radhës.”

KUPAT E EUROPËS – “Gjithmonë kemi shpresuar që të jemi në Kupat e Europës, pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, që nuk e di sa të vërteta janë. Nuk jemi në brendësi të Federatës që të dimë si mund të jetë realisht situata.”

PAGAT – “Kjo është një çështje që ka zgjatur goxha dhe opinioni e di situatën tonë. Ne kemi bërë më të mirën dhe këta çuna dhe stafi janë për t’u falenderuar, sepse nuk e kanë ulur asnjëherë ritmin. Ne na është premtuar dhe jemi në pritje.”

E ARDHMJA – “Interes ka nga ekipe të tjera, ndërsa nga Flamurtari ende jo. Është pak shpejt për të folur, por besoj në ditët në vazhdim do të mësohet diçka më shumë në lidhje me këtë.”

Pas Franc Veliut për mediat ka folur edhe mesfushori brazilian Elton Kale, i cili u shpreh se në Tiranë, Flamurtari vjen vetëm për fitore. Gjithashtu, mesfushori sqaroi edhe situatën aktuale si dhe foli për të ardhmen e tij.

TIRANA – “Ne shkojmë për fitore, për tre pikët. Luajmë për Europën dhe të gjithë lojtarët do të mundohen për tri pikët.”

SITUATA E FLAMURTARIT DHE E ARDHMJA – “Shpresoj që të rregullohet kjo situatë. Kjo është ajo që dua. Fillimisht do të shkoj për pushime me familjen, më pas do të shohim. Ndoshta qëndroj, ndoshta jo.”

EKSPERIENCA NË VLORË – “Në Vlorë eksperiencë e bukur, është një qytet i bukur. Erdha për titullin kampion, por gjërat ndryshuan. Kishim ekip të mirë, por gjithsesi e uroj Partizanin për titullin. Edhe ne kishim ekip të mirë, duhet thënë, kishim Bushiç, Danilo Alvesh, Torrasa, Siljanovski.”

ARSYEJA E LARGIMIT TË LOJTARËVE – “Shumë lojtarë u larguan, sepse pritën për presidentin dhe situata nuk u zgjidh. Nëse do të zgjidhej, lojtarët do të qëndronin.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.