Ajaksi është padyshim një ndër surprizat më të bukura të këtij sezoni në UEFA Champions League. Holandezët arritën të eleminonin kampionët në fuqi të Realit të Madridit në fazën e 1/8-ave dhe tashmë do të përballen me Juventusin në çerekfinale.
Lidhur me këtë përballje ka folur së fundmi, legjenda holandeze, njëkohësisht edhe drejtori i përgjithshëm i Ajaksit, Edvin Van der Sar. Ish-portieri ka folur në lidhje me përballjen ndaj Juventusit, Kristiano Ronaldon, si dhe të ardhmen e De Ligt.
JUVENTUSI – “Është çerekfinale dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Kemi lojtar të nivelit të lartë dhe shpresoj që ta përsërisim atë që bëmë ndaj Realit. Jemi në lojë dhe kemi shanse për t’u kualifikuar. Kemi një ekip të ri në moshë, por gjithashtu kemi dhe lojtarë me eksperiencë siç janë Tadiç apo Blind, të cilët i kanë ndihmuar jo pak të tjerët. Bëmë ndeshje të mira ndaj Bajernit dhe Realit.”
RONALDO – “E njoh mirë Kristianon, pasi kemi luajtur së bashku për katër vite te Mançester Junajtid. Do të jetë bukur ta ritakoj përsëri. E di shumë mirë që ka punuar shumë fizikish, por edhe mentalisht është shumë i fortë. Do të bëjë gjithçka për të shkuar deri në fund të Championsit, gjithashtu edhe Ajaksi ka të njëjtën ëndërr, të fitojë.”
DE LIGT – “Nuk mund të flas shumë. E vetmja gjë që do të them është se De Ligt ka një të ardhme të madhe përpara, pasi është një lojtar fantastik.”