Tekniku i kombëtares belge Roberto Martinez i ka thurur elozhe mesfushorit Aksel Vitsel, duke e konsideruar transferimin e tij nga kampionati kinez te Borusia Dortmund në Gjermani si transferimin më të goditur të merkatos së verës.
“Për mua transferimi i Vitsel është lëvizja më e zgjuar e merkatos së verës. Ai u ble nga Dortmundi për 20 milionë euro, një shumë kjo që në futbollin e sotëm mund të konsiderohet si normale. Efekti i tij në lojën e skuadrës është lehtësisht i dallueshëm. Nuk kisha dyshim se ai do bënte diferencën në atë ekip”, tha trajneri spanjoll.
Vitsel ka qenë një titullar i padiskutueshëm te Borusia në këtë fillim sezoni. Skuadra e drejtuar nga zvicerani Lusien Favre ndodhet në krye të tabelës së Bundesligës me 17 pikë të grumbulluara pas shtatë ndeshjes, ku janë të pamposhtur me pesë fitore dhe dy barazime.