Jasper Silensen s’do të jetë holandezi i vetëm te Barcelona gjatë sezonit të ardhshëm. Dy objektivat kryesor të klubit katalanas janë dy talentet e Ajaksit Matis De Ligt dhe Frenki De Jong. Të dy futbollistët edhe pse të rinj në moshë kanë siguruar një vend titullar në kombëtaren e “tulipanëve”.
Qendërmbrojtësi De Ligt është lojtari më interesant. Mjafton të themi që është kapiten i Ajaksit që prej dy sezonesh dhe është vetëm 19-vjeç, kaq mjafton për të bindur çdo klub. Shënjestra tjetër Frenki De Jong është dy vite më i madh dhe i aftë të luajë në mesfushë e mbrojtje, shumë vetë e konsiderojnë si pasuesin ideal të Buskets.
Të dy lojtarët kanë kontrata afatgjata me Ajaksin dhe për t’i shkëputur ata do duhet pak sforco nga ana financiare. Sipas medieve holandeze kartoni i De Ligt vlerësohet rreth 70 milionë €, ndërsa kartoni i De Jong 40 milionë €.