Starova skanon Superioren: Kreu dhe Europa luhen në Durrës

Edhe pse nuk ka një skuadër në Superiore, Sulejman Starova është aktiv në tregun mediatik sportiv. Për javën e 16-të të Kategorisë Superiore, në fokusin e “Bobit” mbetet sfida që do të luhet në Durrës, Teuta-Partizani, dy skuadra të cilat ai i ka drejtuar vite më parë.

Në deklarimin e tij për Sportekspres.com, Starova theksoi se ndeshja Teuta-Partizani ka rëndësi për të dyja skuadrat, ku Partizani kërkon rikonfirmin në kreun e renditjes, ndërsa Teuta synon që të jetë në zonën që të çon në Europë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Cili është këndvështrimi juaj teknik për ecurinë e Kategorisë Superiore në 15 javët e luajtura?
-E shikoj se ka një rivalitet të dukshëm për vendin e parë. Këtu natyrisht që Partizani ka meritën e kryesimit, por që e ndjen realisht rivalitetin me Skënderbeun. Korçarët, edhe pas dënimit nga UEFA, kanë gjetur forca duke u treguar rival për kreun në këto 15 javë.

Ju cilën skuadër e veçoni me ecurinë më të mirë për këto javë?
-Natyrisht që Partizani është skuadra me ecurinë më të mirë në këto 15 javë. Madje mund të kishte edhe më shumë pikë, pasi ka 11 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, të cilat me më shumë kujdes edhe mund t’i kishte shmangur.

Partizani kryeson me 4 pikë diferencë nga Skënderbeu, mendoni se është evidentuar si pretendenti numër një për titullin?
-Është normale dhe nuk mund ta kuptoj ndryshe kryesimin e Partizanit. Kjo skuadër ka pesë sezone larg Europës, ndërsa dy sezone më parë ja hoqën titullin kampion. Në këtë sezon duket se është përmirësuar në shumë tregues, edhe pse mangësi të vogla i ka ende prezente.

Edhe Teuta ka një ngjitje të dukshme në renditje, janë durrsakët në “vallen” e kreut?
-Fakti që renditet në vendin e tretë në këto 15 javë, tregon se ka eliminuar mangësitë të cilat i shfaqi në javët e para. Mbi të gjitha, ka një kompaktësim dhe përshtatje të vlerave të futbollistëve me përvojë.

Për situatën pozitive të Partizanit dhe Teutës, kanë meritë edhe dy presidentët e këtyre skuadrave?
-Natyrisht që po. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, është më i vjetri në Kategorinë Superiore dhe me kontributin që ka dhënë te Teuta e meriton të jetë më lart në renditje. Po kështu edhe Gaz Demi te Partizani, i cili e risolli në elitë këtë skuadër të madhe.

Po në fundin e renditjes, si e përshkruani situatën?
-Edhe këtu ka rivalitet, madje do të thoja se në këtë zonë ka një kampionat të vogël, pra se cila skuadër do të zbresë nga Superiorja. Tirana dhe Kamza kanë zhgënjyer në këto 15 javë, edhe pse kanë prodhuar lojë, por nuk kanë marrë shumë pikë. Kastrioti duhet patur kujdes.

Ju i keni drejtuar si trajner Partizanin e Teutën, si e shikoni sfidën mes tyre për javën e 16-të?
-Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja këto skuadra, për vetë synimet që kanë. Unë do ta përjetoj si teknik, si një specialist futbolli, jo si tifoz. Pres një ndeshje të bukur, që në letër nuk ka favorit, por vetëm loja do ta përcaktojë fituesin.

Viti 2018 për ju po mbyllet pa bankinë, keni ndonjë projekt të ri për vitin 2019?
-Unë jam trajner profesionist dhe pjesë e tregut të trajningut. Jam i hapur për çdo ofertë, por që këtë vit duket se do ta shijoj kështu, me pushim aktiv.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online