Çfarë pasioni, të gjithë në rrugë për të përcjellë Boka Zhuniors!

0

E diela e 9 dhjetorit po ofron dhe Boka Zhuniors është gati për duelin e përjetshëm kundër River Plejt. Finalja e madhe e Kupës Libertadores do të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Realit të Madridit, diçka që solli pakënaqësi të mëdha në të dy ekipet e kryeqytetit argjentinas.

Një gjë e tillë ndodhi si shkak i sulmit të tifozëve të Riverit ndaj autobusit të lojtarëve të Bokës. Pas shumë bisedimesh, CONMEBOL vendosi që kjo përballje të zhvillohej në stadiumin më të sigurt në botë. Ekipi i Bokës është nisur drejt Spanjës dhe tifozët kanë dalë në rrugë për t’i uruar rrugë të mbarë idhujve të tyre.

I madh e i vogël ka dalë në rrugët e Buenos Airesit për të përshëndetur lojtarët e Bokës, duke krijuar një atmosferë fantastike dhe elektrizuese, ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm ata. Ndërkohë është vendosur që të dy ekipet do të kenë nga 25 mijë bileta. Vetëm 5 mijë ultras për ekip mund të vijnë nga Argjentina, ndërsa nga 20 mijë bileta të tjera do të shiten për komunitetin argjentinas në Spanjë.

Ky vendim është marrë për të bllokuar udhëtimin e grupimeve të rrezikshme të Bokës dhe Riverit. Vetëm në Madrid jetojnë rreth 100 mijë argjentinas, ndërsa në gjithë Spanjën, shifra e tyre shkon në 250 mijë.

Tifozët e Bokës nuk mund të udhëtonin drejt stadiumit “Monumental” të Riverit në finalen e kthimit, ashtu siç nuk kishte asnjë tifoz mik në “Bombonera” në ndeshjen e parë, që përfundoi 2-2. Spostimi i ndeshjes në Spanjë i ka dhënë shansin tifozëve të Bokës të jenë pranë ekipit në finalen e madhe, duel që po pritet me emocion nga të gjithë ata, të cilët e dashurojnë këtë lojë të bukur.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.