Sezonin e shkuar skuadra e Lilës, pati një nga sezonet më të këqija të viteve të fundit, ku vetëm në javën e fundit të kampionatit, arriti të siguronte qëndrimin në Ligën e parë franceze. Sezoni i ri duket se ka nisur me një fytyrë tjetër dhe Lila ndodhet në vendin e tretë në kuotën e 25 pikëve.
Një nga lojtarët më të spikatur të francezëve është pikërisht golashënuesi më i mirë i tyre, Nikolas Pepe. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë po zhvillon sezonin e tij të dytë te Lilë dhe duket se mund të jetë i fundit që zhvillon në Francë. Sipas lajmeve të fundit, interesimi për 23-vjeçarin është mjaft i madh, sidomos nga Premier Liga.
Mançester Siti, por së fundmi dhe Çelsi kanë një interes të madh për afrikanin, i cili ka shënuar 8 gola në 12 ndeshje këtë kampionat. Guardiola duket se e sheh Pepen si një alternativë mjaft të mirë për krahët e sulmit, ku Leroi Sane duket jo i lumtur në Angli, Rahim Stërling nga ana tjetër akoma nuk ka rinovuar, ndërsa i riu Brahim Diaz kërkon largimin, pasi nuk aktivizohet.
Çelsi i Mauricio Sarrit gjithashtu ka nisur kontaktet për sulmuesin 23-vjeçar, pasi Uillian duket gjithnjë e më pranë Barçës, ndërsa Hazard në verë mund të largohet drejt Realit të Madridit. Pedro Rodrigez, 31-vjeçar tashmë, gjithashtu është në një moshë, ku blutë duhet të mendojnë për dikë tjetër.