Filipo Inzagi arriti ta neutralizonte më së miri Milanin e drejtuar nga miku i tij i ngushtë Xhenaro Gatuzo. Mbrojtja e Bolonjës rezultoi mëse e përgatitur për sulmet e kuqezinjve dhe kjo gjë nuk u la pa përmendur nga trajneri i Milanit në intervistën në fund të takimit. Gatuzo foli dhe për incidentin e vogël me Kutronen pas zëvendësimit të këtij të fundit.
NDESHJA – “Mbajtëm kontrollin e topit, por më kot. Nëse i hedhim një së të shkuarës, Interi fitoi këtu me një strategji të ngjashme, ndërsa Roma u mund. Bëmë gjithçka mirë, përveç topit të fundit dhe finalizimit. Ishte një paraqitje mediokër. Vetëm sa e gudulisëm mbrojtjen e Bolonës, kur duhet ta kishim shqyer. Ndaj një skuadre që rrin me 10 veta në mbrojtje duhet të tregohemi më të saktë”.
Zemërimi i Kutrones pas zëvendësimit me Kastijehon ? – “Futa Kastijehon për t’i dhënë lojës një ritëm tjetër, pasi ai është një lojtar i aftë në driblim një kundër një. Gjëja më e rëndësishme është të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Në ditë në vazhdim, sigurisht që do kem një bisedë me Patrikun (Kutronen). Kemi luajtur më së shumti me formacionin 4-3-3. Nëse kam më shumë sulmues në zonë, nuk do të thotë se do jemi më efikas. Mendoj se kur luajmë 4-4-2 bëhemi të parashikueshëm për disa kundërshtarë.
Përshëndetja me grusht ndaj Inzagit ?
“Sa më shumë qëlloj më dikë me grusht, aq më shumë e dua atë. Nëse nuk të godas aq fort, atëherë do të thotë se nuk ju vlerësoj shumë. Më pëlqen puna ime, pasi më bën të ndihem gjallë, por ky profesion mund të të plakë shumë shpejt”, përfundoi Gatuzo me batutat e tij të përhershme.