Shkumbini i ka kuruar me shpejtësi plagët e ndeshjes katastrofë në Kuçovë para një muaji, sepse sot ka fituar 2-0 në Skrapar dhe ka qenë fitorja e tretë rresht në kampionat, me 9 gola të shënuar në total.
Një ndeshje mjaft e mirë nga Shkumbini në Çorovodë, që duket se është bërë edhe më i egër dhe më i vendosur, pas padrejtësive në Kuçovë.
Nga një gol në çdo pjesë, i pari autogol, kanë mjaftuar që Shkumbini të marrë fitoren dhe të kapë sërish kreun e tabelës në grupin B të Kategorisë së Dytë, sepse Maliqi u mund bujshëm në Delvinë, në një sfidë të çmendur që përfundoi 3-2. Trëndafili shënoi 2 gola në 20 minutat e para për Maliqin, por Rugji në minutën e 39-të dhe Mehmeti me dy gola brenda një minute në fillim të pjesës së dytë sollën përmbysjen e madhe.
Fluturon edhe Devolli, fitues 1-0 në Memaliaj dhe tashmë me pikë të barabarta me Shkumbinin dhe Maliqin në krye.
GRUPI A – Tërbuni i Pukës është ende kryesues në grupin A të Kategorisë së Dytë, edhe pse sot nuk luajti. Pukjanët prisnin Tiranën B, por kjo e fundit nuk denjoi të paraqitej, për arsye të motit të acartë dhe shpenzimit të madh për të shkuar në Pukë. Tërbuni ka shpenzuar nga ana e vet, më kot, sepse lojtarët kanë dalë në fushë, kanë bërë zakonin dhe është dhënë fitorja 3-0 në tavolinë sipas rregullores.
Asnjë çudi në ndeshjet e tjera, sepse Luzi ka fituar 2-1 në Pezë-Helmës ndaj Internacionalit, Gramshi ka shpartalluar Vllazninë B 4-0 dhe Sopoti fitoi 4-1 në transfertë ndaj Klosit.