Sekretet e Partizanit dhe “tolerimi” në derbi, Gega i thotë gjërat troç

Skënder Gega, trajneri i Partizanit, doli para mediave për të folur për ndeshjen e radhës me Kastriotin. Të kuqtë ishin pushim në fundjavë, pasi kishin në program me ndeshjen me Kamzën. Tekniku i “demave” fillimisht tha:  “Është e vërtetë që kemi pasur disa ditë pushim dhe na kanë shërbyer shumë për rikuperim. Disa lojtarë kanë pasur probleme, vijnë nga dëmtimet. I shërbeu edhe Telushit, ka hyrë me grupin dhe shpresojmë të jetë gati sa më shpejt. Sa i takon pikëve, të gjithë do i marrin. Ishte pozitive për faktin se erdhën kur rivalët u ndaluan. Do shohim ndeshjen e radhës, kjo është e rëndësishme”

“Kastriotit i duhen pikët doemos? Secili ka objektivat e veta, nuk do ndikohemi nga nevojat e askujt. Jemi profesionistë  dhe nuk ka mbaruar asgjë. Janë edhe 7 javë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe seriozë për të marrë frytet e gjithë asaj punë që kemi bërë. Gabimet në Fushë-Krujë? Është e vërtetë që e kam thënë, ashtu ishte. Nga 2-0 për ne, Kastrioti shënoi dhe pjesa e dytë u tjetërsua. Mund ta barazonte ndeshjen për gabime tonat. Shpresoj që të mos përsërisim të njëjtat gabime. Kemi punuar për këtë ndeshje dhe do mundohemi të marrim maksimumin”.

FATET E KAMPIONATET NË DORË TË PARTIZANIT -“Asnjëherë nuk kemi thënë që jemi të pathyeshëm. E kemi nisur me një humbje në Korçë. Jetojmë në një vend të vogël ku gjërat dihen. Jam paragjykuar nga unë i pari e deri te lojtari më i ri. Ka pasur skeptikë, njerëz që kanë bërë analiza ndryshe nga ne. Pikët na bëjnë të jemi komodë dhe të mos kemi presion. Do mundohemi të mos ndikojmë te pozicioni i askujt. Janë disa gjëra që duhet të funksionojnë të gjitha bashkë. Grupi ka funksionuar, u kemi marrë ndoshta edhe më tepër se ç;kemi pritur. Do i marrim me radhë gjërat”.

“Mund të toleroni me Tiranën, nëse e keni siguruar titullin para derbit? Kam përçuar një mesazh ‘fair-play’, që kundërshtarët tanë shekullorë nuk është se nuk i duam në ligë. Është punë e tyre, nuk marr asgjë nga ata. Jam trajner i Partizanit. Mendoj si profesionist. Tirana i jep bukuri, ashtu si Dinamo dhe Vllaznia. Teknikisht do doja të ishin në ligë gjithmonë, por nuk ka lidhje me atë që të ndihmojmë Tiranën. Derbi i fundit është i veçantë, do kërkojmë ta fitojmë. Nuk mendojmë për ta”.

ARMËT E DEMAVE – “Kemi pikët më shumë se të tjerët. Ka një arsye që kemi ardhur deri këtë. Kemi grupin më të fortë, është nj grup me lojtarë cilësorë, kanë kualitet, luajnë mirë taktikisht, e njohin fanellën dhe kanë përgjegjësi. Kjo është arsyeja pse kemi bërë diferencën”.

FUSHA NË REDI MALOKU – “Nuk ka ndeshje të lehta, Jemi përgatitur për fushën dhe ambientin. As unë nuk kam qenë i kënaqur nga fusha dhe ambienti, kemi luajtur atje në Kupë dhe kampionat. Nuk është faji i lojtarëve, nuk i rregullojmë dot tani këto gjëra. Do kisha dëshirë që edhe Kruja të luante në një fushë më të mirë, por edhe ne që jemi miqtë e tyre. I druhemi çdo rezultati, por do mundohemi të marrim maksimumin. E kemi potencialin për të fituar kudo”.

“Luhet në tavolina, sa ju bezdis kjo? Me gjithë respektin, në konferencë nuk mund të bëjmë muhabet tavolinash, Është perceptimi i tij dhe është e drejta e tij se çfarë thotë. E kemi thënë, nuk jemi të pathyeshëm. Luftëtari nuk na ka mundur vetëm ne. I nxorëm mësime. Nuk kam asnjë koment për ato që flasin kolegët neper klube apo nëpër tavolina”.

KUKËSI PËR VENDIN E DYTË – “Ka hyrë diplomacia te Kukësi, ndoshta edhe më tepër. Tani po  shohin gjërat më me diplomaci dhe me më qetësi. Janë përballë një fakti që në jemi shkëputur. Unë personalisht deri ndeshjen e fundit nuk do them që jemi kampionë. Kjo jo për të ulur presionin. Do i marrim ndeshjet me radhë. Shohim ndeshjen me Kastriotin, duhet kaluar me sukses. Ata kanë një ekip me ego, me dëshirë. Nuk është fusha ajo që i heq meritat atij grupi. Kanë krijuar formatin e tyre. I druhemi çdo minute. Gjithsesi ne jemi Partizani”.

MUNGESA E IBRAHIMIT – “Jam i lumtur që kemi nisur e ndjejmë mungesën e Ibrahimit. Që javën e parë jemi paragjykuar edhe për përzgjedhjen, për moshën. Mënyra se si stërvitet ai dhe Kalari, shumë vonë do e lënë futbollin. Janë shembuj dhe kanë pasur kontribut këtë vit. Ka momente që e shohim Ibrahimin në gjumë, pasi është njeri që e ka fituar me djersë e sakrificë vendin. Do jetë mungesë për ne, është lojtar që ka mbajtur peshë për ne. Nuk do dalim me 10 vetë. Do e zbulojmë nesër kush luan. Nuk jam i qartë, kemi edhe një seanca sot. Do shohim edhe kundërshtarin”.

POSTIMI I HEBAJT – “Nuk e di të them të drejtën, nuk kam Instagram. E ardhmja jonë e afërt është finalizimi i kampionatit. Pas kampionatit gjërat do të qetësohen dhe do të qartësohen, si për pozicionin tim si për lojtarët. Klubi do të ulet dhe do të bëjë një projekt. Uroj që të jetë një projekt pas një fitoreje. Nuk e kam idenë e postimeve. Nëse hapim postimet e Instagramit, konferenca do të na shkonte shumë gjatë. Është një 20-vjeçar që ka ardhur me dëshirë dhe ka kontribuar me sa ka pasur mundësi. Vetëm i uroj suksese dhe është pjesë e jona”.

MERKATO – “Jemi në prill, deri në korrik janë shumë muaj. Ky grup ishte ai që luajti ndaj Mariborit edhe dolëm nga atje me duartrokitje nga vetë tifozët. Nuk është ky Partizan që është sot, nuk ishte ky Partizan që është sot, pasi lojtarët janë bërë më të përgjegjshëm dhe janë rritur. Unë e dua këtë grup dhe sikur mos të vijë asnjë lojtar tjetër sërish do bëj maksimumin dhe jam besimplotë që ky grup pa asnjë ndryshim do të ketë performancë të jashtëzakonshme. Është puna që e bën diferencën. Nëse punojmë dhe vrapojmë shumë, nuk ka ekipe të mëdha dhe të vogla, por ka ekipe që punojnë fort dhe vrapojnë shumë. Ky është dhe sekreti ynë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online