Një nga zbulimet më të mëdha të Ajaksit të sivjetshëm quhet Doni van de Bek. Mesfushori është treguar shumë vendimtar dhe i akullt, duke shënuar në ndeshje tepër delikate në Champions, por edhe në kampionat. Ai arriti të grumbullonte plot 17 gola dhe 13 asiste.
22-vjeçari kërkohet nga disa klube të mëdha. Juventus, Totenhem, Barcelona dhe Inter janë në kërkim të shërbimeve të tij. Djaloshi ka folur pas ndeshjes që Holanda fitoi mbrëmë ndaj Anglisë, ku siguroi një biletë për finalen e “Nations League” ndaj Portugalisë. Ai mohon të ketë pasur oferta drejt tij. Fantazisti i hap rrugën një transferimi në Barcelonë kur shprehet se ndihet i kënaqur për interesin e katalanasve.
“Nuk është e vërtetë se ka pasur oferta drejt meje. Shumë gjëra janë shkruar nëpër gazeta, por unë nuk di asgjë. Kam një kontratë me Ajaksin dhe jam i lumtur këtu. Është shumë bukur të dëgjoj se Barcelona interesohet për mua, por ajo çka dua është të luaj dhe të përmirësohem. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në verë, askush nuk e di se ç’rezervon e ardhmja”, u shpreh Van de Bek.