Interi dhe Atalanta nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola. Të dy ekipet ndanë nga një pikë. Zikaltrit ruajtën pozitat në vendin e tretë dhe u ngjitën në kuotën e 57 pikëve, ndërsa ekipi bergamask ka arritur Milanin në vendin e katërt (me nga 52 pikë).
Një episod i këndshëm ka ndodhur në konferencat për shtyp të trajnerëve pas përfundimit të ndeshjes. Luçiano Spaleti ka qenë duke u përgjigjur pyetjeve, ndërsa Xhan Piero Gasperini ka qenë duke pritur në radhë për të dalë përpara gazetarëve.
Trajneri i Interit ka përfituar për të bërë pak gallatë dhe për t’iu shmangur pyetjeve për Ikardin. Spaleti ftoi kolegun e tij të ulej dhe sapo Gasperini mori vendin e tij, trajneri i Interit pyeti në mënyrë ironike: “Ikardi? Ju përgjigjet ky”, duke iu drejtuar trajnerit të Atalantës.
Ky i fundit e mbajti lojën dhe u përgjigj: “T’i tregoj çfarë më ka thënë?”. Në sallë shpërthyen të qeshurat, ndërsa Spaleti u largua mes buzëqeshjeve dhe i la vendin Gasperinit.