Drejtuesit e Mançester Junajtid nuk kanë humbur kohë për të caktuar zëvendësuesin e Zhoze Murinjos. Në mëngjesin e ditës së sotme në mediet angleze filluan të qarkullonin lajme se trajneri i ri i “djajve të kuq” do të ishte norvegjezi Ole Gunar Solskjaer.
Sipas gazetarit të “ESPN”, Mark Ogden, vendimi është marrë dhe Solskjaer do të prezantohet ditën e nesërme. Ish-sulmuesi i Junajtid, ka punuar të shkuarën si trajner i skuadrës rezervë të klubit anglez, ndërsa prej tre vitesh trajnon klubin e Moldes në vendlindje.
Solskjaer ka pasur një eksperiencë të shkurtër në kampionatin anglez në vitin 2014, kur iu besua pankina e klubit uellsian të Kardifit. Sipas “ESPN”, Solskajer do të firmosë një kontratë 6 mujore, e do t’i lërë vendin një trajneri me emër, që do të zgjidhet në muajt në vazhdim nga kryesia e klubit ndërsa objektivi tjetër i Junajtid do të jetë emërimi i një drejtori sportiv, pozicion ky, që nuk ka ekzistuar më parë te djajtë e kuq, për shkak se gjithçka i është lënë në dorë trajnerit.