Pinari: Një derbi ndryshe, mesfusha e Partizanit bën diferenën

0

Edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja që i jep bukurinë e munguar futbollit shqiptar.Derbi luhet të premten dhe nuk mungojnë edhe deklaratat e “ish”-ëve. Një prej tyre është edhe Luan Pinari. Si një nga ish-futbollistët e të dyja ekipeve, ai ka folur për situatën e Tiranës dhe Partizanit në këtë fazë të kampionatit, si dhe për favoritin e ndeshjes.

“Janë dy ekipe që po kalojnë një formë mjaft të mirë sportive dhe shpresojmë që kjo të pasqyrohet edhe në fushë. Mendoj që do jetë një ndeshje ndryshe, ku skuadrat nuk luajnë me frikën për të mos humbur. Tirana vjen e qetë, pasi ka konsoliduar disi pozitat, ndërsa Partizani është ndjeshëm i shkëputur në krye dhe kjo i jep qetësi”, shprehet Pinari, i cili tregon kështu edhe pritshmëritë e tij për nivelin e ndeshjes.

Ai analizon Partizanin dhe mendon se mesfusha është pika më e fortë e të kuqve. “Pika më e fortë është grupi i kësaj skuadre, por Partizani ka një repart të fortë, që është mesfusha, me Telushin dhe Malën, Asanin e Bardhin, që i japin tjetër ritëm kësaj skuadre”.

Pinari flet edhe për mungesën e Trashit dhe problemet e mbrojtjes ku thotë: “Këtë ndeshje Partizani do të çalojë në dy krahët e mbrojtjes, pasi Trashi nuk do të luajë, ndërsa Ibrahimi nuk është në nivelin më të mirë të tij”.

Pinari mendon se këtë derbi e fiton Partizani, që ka më shumë “uri” për titullin: “Partizani do ta fitojë, sepse i duhet më tepër dhe sepse ka një qëllim më të madh se Tirana. Partizani pret prej vitesh titullin dhe ky duket sezoni i duhur. Për t’u shpallur kampion, duhet të fitosh edhe këtë derbi”.

Në fund, ish-qendërmbrojtësi, thekson se nuk do të ketë probleme nga tifozët: “Në derbi shumë rrallë ka pasur probleme mes tifozërive. Të dy klubet duhet të japin mesazhe, që loja do të jetë e gjitha në fushë dhe jo jashtë saj”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.