Largimi i Mauro Ikardit në fund të sezonit është i sigurt. PSG është ekipi i fundit që është futur në garë për shërbimet e sulmuesit argjentinas, i cili kërkohet edhe nga Juventusi e Atletiko Madrid.
Tek Interi nuk duan të mbesin të papërgatitur dhe kanë nisur punën për gjetjen e një bomberi. Tre janë alternativat dhe dëshirat: Edin Xheko, Romeo Lukaku dhe Duvan Zapata.
Boshnjaku i Romës pëlqehet shumë nga dyshja Marota-Auzilio dhe ai shihet si partneri i duhur për rritjen e Martinez, Negociatat me lojtarin kanë nisur prej kohësh. Xheko është dakord për t’u transferuar tek Interi, që ofron 10-15 milionë euro, ndërsa Roma kërkon 25-30 milionë euro për 33-vjeçarin. Akordi mund të arrihet edhe me përfshirjen e ndonjë lojtari në tratativa.
Romeo Lukaku është i preferuari i madh i Antonio Kontes. Ai ka shënuar 12 gola sivjet me “Djajtë e Kuq”. Dëshira e sulmuesit belg është për t’u larguar, ndërsa Serie A e tundon prej kohësh. Problem mbetet kartoni i lartë prej 70-80 milionë eurosh dhe rroga prej 10 milionë eurosh në sezon.
Në fund kolumbiani i Atalantës. Zapata dhe shokët e tij po shijojnë një super sezon. Sulmuesi gjeti golin e 26-të për këtë sezon kundër Napolit. Ai është i huazuar deri në vitin 2020 tek Atalanta, ndërsa për t’ia “vjedhur” nga duart ekipit bergamask nevojiten të paktën 45 milionë euro.