Tefik Osmani nuk do të jetë pjesë e kontingjentit për tekniku Shkëmbi në sfidën e Teutës përballë Luftëtarit, për shkak të kartonit të kuq kundër Kukësit. Megjithatë, mbrojtësi është optimist se skuadra e tij do të arrijë triumfin në Gjirokastër dhe mungesat zëvendësohen mjaft mirë nga lojtarët e tjerë. Në fjalën e tij për “Supersport”, Osmani u shpreh:
FITORJA ME KUKËSIN – “Javët e para të fazës së dytë kemi arritur vetëm barazime dhe ishte krijuar një klimë e vështirë. Fitorja me Kukësin ishte shumë e rëndësishme, pasi na dha besim për forcat tona, ndaj do të ngjitemi edhe më lart”.
MUNGESAT – “Kur kampionatin hyn në një fazë të rëndësishme, çdo lojtar mezi i pret ndeshjet. Megjithatë, ne kemi një grup të plotë dhe mungesat zëvendësohen mjaft mirë nga lojtarët që vijnë nga stoli”.
NDESHJA KUNDËR LUFTËTARIT – “Mendoj që është një ndeshje shumë e vështirë. Po t’i shikosh ndeshjet, ndryshojnë vetëm taktikat e trajnerit, pasi tre pikët vlejnë njësoj, si kundër Kukësit, ashtu dhe kundër Luftëtarit”.
BESIMI – “Duke luajtur, rritet edhe besimi te vetja dhe te grupi, pastaj shkon në pikën që të mos pranosh asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Megjithatë në këtë kampionat, më shumë rëndësi ka që të mos humbësh, pasi të gjitha skuadrat janë shumë të forta”.
OBJEKTIVI – “Objektivi ynë është “Europa League”, por nëse sigurojmë këtë synim dhe jemi pranë titullit kampion, nuk kemi frikë të provojmë deri në fund për ta fituar edhe atë. Por unë mendoj se favorit për titullin është Partizani”,- u shpreh Osmani.