Teuta nuk ka qëndruar duarkryq gjatë kësaj periudhe, pasi ka punuar të përforcohet në ato pozicione ku skuadra ka më së shumti nevojë. Deri më tani janë zyrtarizuar vetëm dy lëvizje në dalje, Erlis Frashëri dhe Latif Amadu. Ndërkohë në fillim të javës së ardhshme pritet që të ketë fytyra të reja në stërvitje.
Thuajse gjithçka është e mbyllur me mbrojtësin Rustem Hoxha, i cili është i lirë pas eksperiencës së fundit me Luftëtarin. Qendërmbrojtësi do të jetë një nga alternativat e Shkëmbit për qendrën e mbrojtjes dhe padyshim një element mjaft i vlefshëm. Vlerat e tij dihen tashmë.
Gjetja e një sulmuesi ka qenë synimi kryesor i Teutës dhe duket se e kanë gjetur edhe goleadorin. Marrëveshja me Ismael Dungën thuajse është mbyllur. Shtatlarti i sulmit spikati te Luftëtari, duke shënuar gjashtë gola. Durrsakët e kanë pëlqyer kenianin dhe i kanë bërë një ofertë.
Në Gjirokastër ai ka pasur probleme me pagesat dhe nuk ka ndërmend të kthehet. Gjithsesi mbetet për t’u parë se si do ta zgjidhë kontratën me bluzinjtë. Ndoshta do i duhet që t’i drejtohet gjyqit për të dalë lojtar i lirë. Shkëmbi e do te Teuta sulmuesin, i cili vë në dyshim edhe të ardhmen e Bushiç te durrsakët.