Kukësi vijon me përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Tiranën. Trajneri Ernest Gjoka po mendon për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë kundër verdhebluve. Ka disa pikëpyetje dhe lidhet me gjendjen e dy prej titullarëve.
Vasil Shkurtaj dhe Valdet Rama ditën e sotme janë stërvitur të diferencuar. Prania e tyre në ndeshjen me Tiranën është në dyshim, por po bëhet maksimumi që të jetë në dispozicion të stafit teknik. Nesër, në seancën e fundit para ndeshjet do të kuptohet më mirë nëse do jetë gati apo jo.
Në ndeshjet e fundit trajneri Gjoka për arsye dëmtimi nuk ka pasur kapitenin Ylli Shameti, ndërkohë që edhe Irakli Dzaria ka pasur probleme shëndetësore. Për sfidën me Tiranën është rikthyer mesfushori Vesel Limaj, i cili mungoi kundër Flamurtarit për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
KRASNIQI – në seancën e sotme stërvitore Kukësi pati edhe një vizitor special. Mbrojtësi Gëzim Krasniqi, i dëmtuar në ndeshjen me Kastriotin, është operuar në gju dhe me paterica kishte udhëtuar drejt Pezë-Helmësit dhe ka takuar shokët e skuadrës.